Historiku i shkollës Leonik Tomeo
​
Në shtator të vitit 1992 në shkollën e mesme profesionale "23 Nëntori" krahas degës profesionale u hap dhe shkolla e mesme e përgjithshme me një klasë.
Në shtator të vitit 1996 ndryshoi emri i shkollës nga "23 Nëntori" në "Leonik Tomeo" me drejtor të parë z.Shkelzen Jakova dhe nëndrejtoreshë znj. Elsa Huta. Shkolla në këtë vit kishte 8 klasa të para dhe 195 nxënës, numri i të cilëve erdhi duke u rritur vit pas viti. Shtimi i numrit të klasave solli dhe shtimin e personelit mësimor.
Ngritja e cilësisë së mësimdhënies kërkonte edhe fuqizimin e bazës materiale mësimore, për këtë qëllim u ngritën kabinetet e lëndëve të ndryshme si fizikë, kimia, biologji, informatikë, histori – gjeografi, teknologji dhe një rëndësi të veçantë ka pasur dhe biblioteka e shkollës e cila ka qenë dhe vazhdon të pasurohet gjithmonë e më shumë. Gjatë gjithë viteve të ekzistencës së saj në këtë shkollë janë ndërmarrë nisma të ndryshme që kane pasur si qëllim kryesor fuqizimin e të gjithë komponentëve të shkollës me bazë materiale e didaktike, rregullimin e mjediseve të shkollës, përsosjen e procesit mësimor edukativ, pra konsolidimin në të gjitha drejtimet.
Për sa i përket mjediseve të shkollës krahas ambienteve të brendshme në ambientin e jashtëm të saj ndodheshin dhe ndodhen: mjediset për zhvillimin e orëve mësimore të edukimit fizik, oborri dhe lulishtja. Mjediset për zhvillimin e orëve mësimore të edukimit fizik përfshijnë 2 fusha dhe palestrën. Oborri ka shërbyer dhe shërben për grumbullimin dhe rreshtimin e nxënësve, njoftime dhe aktivitete të ndryshme. Nga viti 1996 – 2023 në këtë shkollë kanë dhënë mësim 130 mësues, ka pasur 252 klasa dhe 8556 nxënës.